Irani ka ndërmarrë sulme ndaj bazave ushtarake amerikane në Irak dhe Jordani, sipas mediave shtetërore iraniane dhe Forcave të Armatosura të Jordanisë. Sulmet vijnë pasi Shtetet e Bashkuara rifilluan të martën goditjet ndaj objektivave në Iran.

Sipas Gjysmëhënës së Kuqe iraniane, një sulm me raketë amerikan në qytetin Sirik, në jug të Iranit, shkaktoi vdekjen e katër personave, mes tyre edhe një fëmijë.

Më shumë se 50 persona mbetën të plagosur nga sulmi, sipas autoriteteve iraniane, raporton BBC.

Komanda Qendrore e SHBA-së, CENTCOM, deklaroi se sulmet amerikane ndaj Iranit u kryen pas “sulmeve të fundit të tentuara” nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) kundër anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.

Në orët e para të së mërkurës, Irani lëshoi një breshëri raketash balistike drejt një baze të Marinës amerikane në Akaba të Jordanisë, në atë që media gjysmëzyrtare iraniane Tasnim e paraqiti si hakmarrje për sulmin në Sirik.

Forcat e Armatosura të Jordanisë njoftuan se mbrojtja ajrore kishte kapur 13 raketa balistike iraniane. Sipas tyre, 10 prej raketave u shkatërruan, ndërsa tre të tjera ranë në zona të largëta.

Qendra kombëtare e sigurisë kishte paralajmëruar më herët banorët e provincave Akaba dhe Mafrak për mundësinë e rënies së mbetjeve të raketave. Paralajmërimi më pas u hoq.

Ndërkohë, ushtria e Kuvajtit deklaroi se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore po reagonin ndaj sulmeve me raketa iraniane në orët e para të së mërkurës.