Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për zbatimin e një armëpushimi, njoftoi Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një deklarate zyrtare, raporton BBC.

Sipas marrëveshjes, armëpushimi do të hyjë në fuqi vetëm nëse respektohet një “ndërprerje e plotë” e sulmeve nga grupi i armatosur Hezbollah, i mbështetur nga Irani, si dhe një sërë kushtesh të tjera të përcaktuara nga palët.

Njoftimi vjen pas një tjetër përshkallëzimi të tensioneve në rajon. Të mërkurën, sulmet ajrore izraelite në jug të Libanit shkaktuan vdekjen e të paktën nëntë personave, ndërsa Hezbollah lëshoi raketa drejt veriut të Izraelit, duke vënë në provë armëpushimin e brishtë të arritur në muajin prill.

“Në të ardhmen, marrëdhëniet mes Izraelit dhe Libanit duhet të përcaktohen nga dy qeveritë sovrane. Të gjitha vendet pjesëmarrëse hodhën poshtë çdo përpjekje nga aktorë shtetërorë apo jo-shtetërorë për të mbajtur peng të ardhmen e Libanit”, thuhet në deklaratën amerikane.

Marrëveshja u arrit pas raundit të katërt të bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA në Uashington. Një nga kushtet kryesore është largimi i të gjithë operativëve të Hezbollahut nga zona e kontrolluar nga Izraeli në jug të Libanit, mes lumit Litani dhe kufirit izraelit.

Departamenti i Shtetit bëri të ditur gjithashtu se SHBA do të ndihmojë në krijimin e “zonave pilot”, ku kontrolli i plotë territorial do t’i kalojë Forcave të Armatosura Libaneze, duke përjashtuar praninë e çdo grupi të armatosur jo-shtetëror. Megjithatë, nuk janë dhënë ende detaje konkrete mbi funksionimin e këtyre zonave.