Duket e çuditshme qën jë person i vetëm të jetë babai i 550 fëmijëve apo jo?

Epo ja që kjo gjë është e vërtetë, dhe ky person është holandezi Jonathan M., i cili ka dhuruar spermën, duke u bërë babi i të paktën 550 fëmijëve nga vende të ndryshme të Evropës.

Fondacioni Donorkid, i cili mbron të drejtat e njerëzve të lindur me fekondim artificial, ishte ngarkuar me denoncimin e këtij burri me flokë të gjatë biondë, i cili doli këtë të enjte përpara një gjykate të shkallës së parë në Hagë, duke qenë hera e parë që një rast i tillë vjen në gjykatë.

Eva, një nga nënat që paditi Jonathanin, u mashtrua nga holandezi, i cili e siguroi se nuk kishte ndërmend të kishte më shumë se 25 fëmijë. Një shifër jo e rastësishme, pasi është numri maksimal i lejuar (deri në vitin 2019). Para gjyqtarëve, gruaja ka kërkuar që ta ndalojnë këtë burrë të vazhdojë me aktivitetin e tepërt riprodhues. Diçka për të cilën i pandehuri nuk është dakord, duke e cilësuar si “sulm serioz ndaj integritetit të tij”.

Gjatë fjalës së tij, ai shprehu keqardhje që paraqitet si “një dem me dëshirë riprodhuese të tërbuar”.

Ai siguron se këto donacione janë pjesë e “punës” së tij, të cilën e cilëson si “një shërbim me vlerë të shtuar”, duke qenë në kontakt me pasardhësit e tij. Siç ka siguruar, shkon në lindje, ditëlindje dhe diploma të fëmijëve, por nga Donorkid denoncojnë se është një “eksperiment i çuditshëm social” që duhet të marrë fund sa më parë.

Gjithashtu, kërkohet edhe asgjësimi i të gjitha mostrave që mbahen në klinikat e fertilitetit, me përjashtim të një rasti: që një grua që ka pasur fëmijë të tij dëshiron t’i japë një vëlla biologjik.

Siç ka theksuar Jonathan M., ai nuk është më aktiv në faqet e internetit për dhurimin e spermës. Megjithatë, ai siguron se nëse ka prindër që duan një fëmijë të tij, ai nuk do ta refuzojë thirrjen e tyre. Avokati i tij e kritikon këtë denoncim dhe siguron se klienti i tij “është pronar i trupit të tij dhe njerëzit kanë të drejtën e abortit, eutanazisë dhe gjithashtu të riprodhimit”.