Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se personi i dyshuar, i cili hapi zjarr në darkën e tij me gazetarët, mund të ketë vepruar i nxitur nga “urrejtje në zemër”. I pyetur për motivin, Trump u shpreh se ngjarja mund të ketë pasur një prapavijë fetare, duke e cilësuar atë si “fortësisht antikristiane”. Ai shtoi se i dyshuari duket se ka pasur probleme të mëdha personale.
“Bëhet fjalë për një person të sëmurë, që ka ushqyer shumë urrejtje për një kohë të gjatë. Ai kishte shkruar një manifest shumë antikristian. Kur ta lexoni, do të kuptoni se urren të krishterët. Është një person dukshëm i trazuar mendërisht. Besoj se motra apo vëllai i tij kishin shprehur shqetësime, madje edhe pranë autoriteteve”-, u shpreh Trump.
Megjithatë, autoritetet kanë bërë të ditur më herët se motivi i sulmit mbetet ende i paqartë dhe nën hetim. Trump komentoi gjithashtu mbi rreziqet e detyrës së presidentit, duke thënë se figura të rëndësishme janë më të ekspozuara ndaj kërcënimeve.
Në eventin ku ndodhi incidenti merrnin pjesë vetë Trump, bashkëshortja e tij Melania, si dhe shumë zyrtarë të lartë të administratës amerikane./ Top Channel




