Një deputet i krahut të djathtë në Greqi është përjashtuar nga partia e ish-kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, për shkak të komenteve raciste të bëra pas fundosjes së një anijeje me migrantë.
Rojet bregdetare greke po vazhdojnë kërkimet për të mbijetuarit nga fundosja e anijes që bartte migrantë. Nga fundosja e anijes të martën mbrëma kanë vdekur të paktën 78 persona. Shpresat për të gjetur të mbijetuar të tjerë po zbehen “çdo minutë”, thanë zyrtarët.
Teksa dënoi humbjen “tragjike” të jetës, përfshirë të fëmijëve, Spilios Kriketos, tha se Greqia “nuk mund të tolerojë më shumë migrantë”, ndërsa i akuzoi migrantët për vjedhje.
Pas kësaj interviste, partia e Mitsotakis e përjashtoi atë.
“Mendimet, sikurse ato të shprehura nga Spilios Kriketos nuk kanë vend në partinë tonë. Deklarata të urrejtjes dhe raciste nuk janë pjesë e vlerave të partisë sonë”, u tha në deklaratën e këtij subjekti politik.
Kriketos po garon për zgjedhjet legjislative të 25 qershorit, pasi Mitsotakis doli i pari në zgjedhjet e majit. Megjithatë, nga këto zgjedhje ish-kryeministri grek nuk fitoi shumicë të qartë parlamentare.