Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do të firmosë një marrëveshje me Iranin vetëm nëse plotësohen kushtet kryesore të vendosura nga Uashingtoni, deklaroi një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë pas një mbledhjeje disaorëshe të zhvilluar në Sallën e Menaxhimit të Krizave (Situation Room).
Takimi, i cili kishte në fokus shqyrtimin e marrëveshjes për zgjatjen e armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit, përfundoi pa një vendim përfundimtar. Sipas burimeve amerikane, pavarësisht progresit të arritur në bisedime, palët vijojnë të mbeten të ndara për çështje thelbësore, veçanërisht sa i përket programit bërthamor iranian.
“Presidenti Trump do të nënshkruajë një marrëveshje vetëm nëse ajo është në interes të Amerikës dhe nëse respektohen vijat e tij të kuqe. Irani nuk mund të ketë armë bërthamore”, deklaroi zyrtari për AFP.
Sipas deklaratave të Trump, kuadri i marrëveshjes përfshin rihapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit për lundrim të lirë, eliminimin e minave detare në zonë, garancinë se Irani nuk do të zhvillojë armë bërthamore dhe dorëzimin e rezervave të uraniumit të pasuruar te Shtetet e Bashkuara.
Presidenti amerikan ka bërë të ditur gjithashtu se është i gatshëm të heqë bllokadën amerikane në Ngushticën e Hormuzit, duke lejuar lëvizjen e anijeve që ndodhen të bllokuara në rajon.
“Nuk do të ketë transferim fondesh deri në një njoftim të ri. Çështjet e tjera, më pak të rëndësishme, janë dakordësuar”, ka shkruar Trump në rrjetet sociale.
Sipas zyrtarëve amerikanë, Uashingtoni dhe Teherani kanë arritur në parim një memorandum mirëkuptimi që parashikon zgjatjen e armëpushimit për 60 ditë dhe nisjen e negociatave për të ardhmen e programit bërthamor iranian.
Megjithatë, sipas raportimit të New York Times, Trump është larguar nga mbledhja pa marrë vendimin final që pritej.
Nga ana tjetër, Irani ka reaguar me skepticizëm ndaj deklaratave të presidentit amerikan. Agjencia iraniane Fars i ka cilësuar komentet e Trump si “një përzierje të së vërtetës dhe të pavërtetës”, duke theksuar se memorandumi nuk përfshin shkatërrimin e materialeve bërthamore.
Edhe zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, deklaroi se Teherani është i fokusuar te përfundimi i konfliktit dhe jo te negociatat për programin bërthamor.
“Jemi të përqendruar në përfundimin e luftës dhe nuk po zhvillohen negociata për çështjen bërthamore”, tha ai.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kreu i ekipit negociator iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, i cili deklaroi se Teherani nuk u beson premtimeve të palës amerikane.
Ndërkohë, tensionet mbeten të larta në terren. Armëpushimi i vendosur më 8 prill është shoqëruar me akuza të ndërsjella për shkelje.
Të enjten, Garda Revolucionare Iraniane njoftoi se kishte goditur një bazë ajrore amerikane në Kuvajt, duke pretenduar se ajo ishte përdorur për sulme kundër qytetit-port iranian Bandar Abbas, pranë Ngushticës së Hormuzit.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) e cilësoi sulmin si “një shkelje flagrante të armëpushimit”, ndërsa paralajmëroi se situata në rajon mbetet tepër e brishtë dhe e paqëndrueshme.


