100 orë pas tërmetit në Siri dhe Turqi, numri i viktimave ka kaluar mbi 23,000 njerëz.
Qindra mijëra njerëz të tjerë kanë mbetur të pastrehë dhe me mungesë ushqimi, në kushte dimri nën zero pas tërmeteve me magnitudë 7.8 dhe 7.6 të shkallës Rihter që goditën disa orë nga njëri-tjetri Turqinë dhe Sirinë me 6 shkurt.
Dhjetëra vende kanë premtuar ndihmë dhe kanë dërguar ekipe emergjente.
Në Samandag në provincën jugore Hatay të Turqisë, një djalë 10-ditor i quajtur Yagiz u nxorr nga një ndërtesë e rrënuar gjatë natës, ndërsa në Kırıkhan, shpëtimtarët gjermanë nxorrën të gjallë 40-vjeçaren Zeynep Kahraman nga rrënojat më shumë se 104 orë pas tërmetit.
“Tani unë besoj në mrekulli,” tha Steven Bayer, drejtuesi i ekipit ndërkombëtar të kërkimit dhe shpëtimit.
“Ju mund t’i shihni njerëzit duke qarë dhe duke u përqafuar me njëri-tjetrin. Është një lehtësim kaq i madh që kjo grua në kushte të tilla doli aq në formë. Është një mrekulli absolute.”
Me mijëra njerëz janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat deri më tani me ritme të shpejta, por vijon të rritet numri i viktimave. Bilanci i të vdekurve, orët e fundit është thelluar në rreth 23700, nga të cilët 20200 në Turqi dhe rreth 3500 në Siri.
Ndërkohë që numri i të plagosurve ka shkuar në mbi 80 mijë.
Kombet e Bashkuara paralajmëruan se numri i madh i personave të mbetur të pastrehë, veçanërisht në Siri ku me mijëra banorë janë pa energji elektrike, ushqim dhe furnizim me karburant mund t’i shtojë të tjera viktima bilancit të katastrofës, mes të mbijetuarve.
Orët e fundit, në Siri mbërritën kamionët e parë me ndihma humanitare nga OKB. Shpërndarja megjithatë, është e vështirë pasi zonat e goditura nga tërmeti janë prej vitesh në krizën që nisi që me revoltat e Pranverës Arabe.
Pas katastrofës së tërmetit, shumë zona të shkatërruara janë pushtuar nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura që shkaktuan fryrjen dhe daljen nga shtrati të lumenjve. Një situatë e tillë është jo vetëm në veri të Sirisë por edhe në Iskanderun të Turqisë.