Vala e protestave në Kinë vazhdon dhe po përshkallëzohet, ndërsa nga ana e saj policia ka intensifikuar masat ndëshkuese për qytetarët që kanë ngritur zërin e pakënaqësisë për shkak të izolimit nga koronavirusi.

Në këtë “mjedis të nxehtë”, një video virale po qarkullon në internet orët e fundit, që tregon një grua duke lindur në këmbë, në mes të rrugës. Kjo video që po bën xhiron e rrjeteve sociale, është regjistruar jashtë maternitetit në qytetin Gulan të Kinës.

Shumë përdorues të rrjetit social pretendojnë se kjo ndodhi pasi gruaja nuk kishte pasur kohë të bënte testin për koronavirus që të hynte në maternitet. Gruaja, sipas asaj që po qarkullon në Twitter, është detyruar të lindë në këmbë, në trotuar, siç e shihni dhe në pamjet më poshtë, dhe të pranishmit i kanë dhënë ndihmën e parë.