Në internet po qarkullojnë disa pamje dhune tronditëse, ku një burrë u linçua nga një turmë e zemëruar gjatë protestave që shpërthyen këtë javë pas përdhunimit dhe vrasjes së një vajze 11-vjeçare. Ngjarja ka ndodhur në shtetin e Bengalit Perëndimor, në Indi.

Policia indiane ka njoftuar se, dhjetëra persona janë arrestuar për përfshirje në akte dhune dhe vandalizmi gjatë demonstratave.

Në një video që po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale, shihet një burrë gjysmë i zhveshur, me duart e lidhura me litar, i cili sulmohet brutalisht nga dhjetëra persona. Turma e godet vazhdimisht, ndërsa ai përpiqet pa sukses të mbrohet.

“Reuters” shkruan se, protestuesit kanë bllokuar rrugë dhe kanë djegur automjete që prej momentit kur trupi i vajzës u gjet në një liqen të dielën, një ditë pasi ishte raportuar e zhdukur, në qytetin Baruipur, në shtetin e Bengalit Perëndimor, rreth 30 kilometra nga Kalkuta.

“Deri tani kemi arrestuar 35 persona për dhunë dhe vandalizëm. Të tjerë të përfshirë po identifikohen përmes videove të shumta që janë bërë virale”, deklaroi për “Reuters” zyrtari i lartë i policisë së shtetit, Arvind Kumar Anand.

Ndërkohë, policia bëri të ditur se ka qëlluar për vdekje një nga katër të arrestuarit për përdhunimin dhe vrasjen e 11-vjeçares.

Sipas autoriteteve, i dyshuari, Prabhas Mondal, u qëllua në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, ndërsa po përpiqej të arratisej. Ai ishte dërguar në vendin e krimit si pjesë e hetimeve, kur, sipas policisë, tentoi të largohej.

Mediat e huaja skruajnë se, nëna e Prabhas Mondal refuzoi të tërhiqte trupin e pajetë të të birit, duke deklaruar se nuk dëshironte ta sillte në shtëpi, pasi, sipas saj, ai “nuk kishte bërë gjënë e duhur”.

“Për mëkatin që kreu djali im, ai mori dënimin që i takonte”, tha ajo në një intervistë televizive.

Ndërkohë, mediat indiane, duke cituar familjen e njërit prej të dyshuarve të tjerë, raportuan se i afërmi i tyre është i pafajshëm dhe se u arrestua për shkak të një identifikimi të gabuar.

Deri më tani nuk është raportuar për deklarata nga familjet e dy të dyshuarve të tjerë.

Suvendu Adhikary, i cili u zgjodh kryeministër i shtetit të Bengalit Perëndimor pas fitores së partisë Bharatiya Janata (BJP) të kryeministrit indian Narendra Modi në zgjedhjet rajonale të majit, deklaroi se “nuk do të ketë asnjë mëshirë” për ata që kryejnë krime si përdhunimi dhe dhuna, apo për ata që rrahin deri në vdekje “njerëz të pafajshëm që nuk kanë bërë asgjë”.

“Qeveria e re do t’i ndjekë penalisht këta kriminelë duke përdorur të gjitha mundësitë që ofron ligji dhe do të sigurojë që drejtësia të vihet në vend”, tha Adhikary në një postim të bërë dje në platformën X.

Çështja ka rikthyer edhe një herë shqetësimet për sigurinë e grave dhe vajzave në Indi, pavarësisht ligjeve më të ashpra që u miratuan pas përdhunimit në grup dhe vrasjes së një gruaje 22-vjeçare në Delhi në vitin 2012, ngjarje që shkaktoi protesta masive në të gjithë vendin.