Sulmet ajrore mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit rifilluan gjatë fundjavës, ndërsa të dyja palët pretendojnë se kanë goditur objektiva ushtarake pranë Ngushticës strategjike të Hormuzit, raporton BBC.

Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM) njoftoi se ka kryer “sulme vetëmbrojtëse” ndaj objekteve iraniane të radarëve dhe qendrave të komandës e kontrollit të dronëve në Goruk dhe në ishullin Qeshm të Iranit.

Sipas ushtrisë amerikane, operacioni u zhvillua si përgjigje ndaj veprimeve që Uashingtoni i cilësoi agresive nga ana e Teheranit, përfshirë rrëzimin e një droni amerikan MQ-1 që, sipas SHBA-së, po operonte mbi ujëra ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) deklaroi se ka goditur një bazë ajrore të përdorur nga forcat amerikane si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të fundit, megjithëse nuk specifikoi vendndodhjen e saj.

Mediat iraniane shkruajnë se, IRGC pretendon se ka shënjestruar bazën nga ku SHBA-ja kreu sulmet ndaj kullës së komunikimit në ishullin Sirri në Gjirin Persik, rreth 65 kilometra larg bregdetit jugor të Iranit.

Ushtria iraniane paralajmëroi gjithashtu se reagimi i saj do të jetë “krejtësisht i ndryshëm” nëse, sipas saj, agresioni amerikan përsëritet.