Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi se SHBA-ja “po fiton” në Iran dhe se ka nën kontroll ngushticën strategjike të Hormuzit.

 “Po fitojmë në Iran. Kontrollojmë ngushticën e Hormuzit”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë, ku po priste kandidatët republikanë për zgjedhjet e mesmandatit në SHBA.

Ndërkohë sipas raportimeve të “Wall Street Journal”, SHBA-ja po zgjat në heshtje dislokimin e trupave në rajon, duke ngritur mundësinë që konflikti të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm.

Gazeta amerikane, duke iu referuar burimeve të informuara mbi situatën, shkruan se Pentagoni po ndjek një strategji ushtarake afatgjatë, e cila synon t’i ofrojë presidentit Trump disa alternativa në varësi të zhvillimit të luftës.

Në kuadër të kësaj strategjie, në rajon janë dislokuar 19 anije luftarake, sisteme të mbrojtjes ajrore, skuadrone avionësh luftarakë dhe trupa parashutiste.

Sipas “Wall Street Journal”, ky dislokim i gjerë po ushtron presion të konsiderueshëm mbi forcat amerikane dhe familjet e tyre, ndërsa zgjatja e konfliktit rrit pasigurinë për kohëzgjatjen e angazhimit ushtarak.