Kryetari i bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin ka ngritur alarmin mbi përparimin e grupit mercenar Wagner, duke thënë se po i afrohen kryeqytetit rus.

Sobyanin ka publikuar një deklaratë në Telegram duke njoftuar se në kryeqytet po merren masa kundër terrorizmit. Po ashtu, shtoi se e hëna do të jetë ditë pushimi për “minimizimin e rreziqeve”. Ai u kërkoi moskovitëve që të përmbahen nga udhëtimet nëpër qytet sa më shumë që të jetë e mundur.

“Situata është e vështirë,“- tha kryebashkiaku i Moskës Sobyanin në deklaratën e tij të postuar në Telegram.

Ai shtoi se ka mundësi që disa rrugë apo lagje në qytet të mbyllen për qarkullim. Mercenarët e Wagner duket se po lëvizin në veri nga rajonet qendrore të Rusisë, në drejtim të kryeqytetit.

Grupi Wagner, pas kërcënimeve të shumta i ka shpallur zyrtarisht luftë Kremlinit dhe drejtuesëve të Rusisë. Thirrja për ‘kryengritje’ erdhi pasi Yevgeny Prigozhin, pretendon se ushtria e Moskës vrau një grup mercenarësh të tij gjatë një sulm në një kamp. Prigozhin ka nisur kryengritjen e tij nga qyteti Rostov-on-Don, pranë kufirit me Ukrainën, ku banorëve u është thënë të qëndrojnë brenda.

Presidenti rus, Vladimir Putin e ka cilësuar si një thikë pas shpine, rebelimin e tij, ndërsa ka mohuar rrezikun e një grushti shteti. Putin ka pranuar se situata në qytetin jugor të Rostov-on-Don, të marrë nga Wagner, mbetet e vështirë. Në qendër të Moskës kanë dalë në rrugë tanket dhe janë rritur masat e sigurisë dhe të gjitha objektet e rëndësishme janë nën vëzhgim.