Shtetet e Bashkuara po intensifikojnë përpjekjet diplomatike për të ulur tensionet në Lindjen e Mesme, duke propozuar një plan të ri armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Sipas një gazetari të Axios, që citon një zyrtar të lartë amerikan, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka zhvilluar kontakte me presidentin e Libanit, Joseph Aoun, dhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në përpjekje për të avancuar nismën amerikane.

Sipas propozimit të Uashingtonit, si hap i parë drejt një armëpushimi, Hezbollahu duhet të ndalojë sulmet kundër territorit izraelit, ndërsa Izraeli të pezullojë operacionet ushtarake dhe sulmet në zonën e Bejrutit.

Zyrtari amerikan bëri të ditur se presidenti libanez Joseph Aoun është shfaqur i gatshëm të mbështesë dhe të promovojë planin e propozuar nga SHBA. Megjithatë, kryetari i Parlamentit të Libanit, Nabih Berri, ka kundërshtuar qasjen e propozuar, duke theksuar se Izraeli duhet të ndalojë fillimisht sulmet e tij përpara se të ndërmerren hapa të tjerë.

Përpjekjet diplomatike vijnë në një kohë kur përplasjet ndërkufitare mes Izraelit dhe Hezbollahut kanë rritur shqetësimet për një zgjerim të konfliktit në rajon, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po bën thirrje për uljen e tensioneve dhe rikthimin në dialog.