Trupi i një gruaje të moshuar është gjetur në bodrumin e një banese në Maraton, rreth 10 vite pasi dyshohet se kishte ndërruar jetë.

Mediat greke shkruajnë se, trupi u zbulua pas denoncimit të bërë nga mbesa e saj, e cila kishte pretenduar se nëna dhe vëllai i saj e kishin fshehur vdekjen e të moshuarës, me qëllim që të vazhdonin të merrnin pensionin e saj.

Gruaja u gjet e mbështjellë me najlon. Burime policore bëjnë me dije se mbetjet ishin në gjendje skeletore, ndaj në vendngjarje u thirr një antropolog për të kryer ekzaminimet përkatëse.

Denoncimi ishte bërë rreth dy javë më parë nga mbesa e të ndjerës, e cila deklaroi se nuk kishte pasur kontakt me gjyshen e saj për rreth një dekadë.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se pensioni i gruas vazhdonte të tërhiqej edhe pas vdekjes së saj. Sipas policisë, një tërheqje nga karta e debitit është kryer edhe në muajin gusht, çka ngre dyshime se përfitimi i pensionit ka vijuar për vite me radhë.

Mbesa dyshohet se ka implikuar nënën e saj 68-vjeçare dhe vëllain e saj në fshehjen e trupit. Djali i 68-vjeçares kishte deklaruar më herët se, pasi kishte pyetur nënën për gjyshen, ajo i kishte thënë se e kishte “zgjidhur” çështjen.

Policia greke vijon hetimet për të përcaktuar rrethanat e vdekjes dhe personat përgjegjës. Në kuadër të procedimit penal pritet të hetohen veprat e fshehjes së njoftimit të vdekjes dhe mashtrimit ndaj shtetit, lidhur me përfitimin e pensionit.