Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gëzon një gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe është plotësisht i aftë të përballojë kërkesat e postit të tij, sipas raportit të fundit mjekësor të publikuar nga Shtëpia e Bardhë.

Dokumenti, i bërë publik të premten në mbrëmje, mban firmën e mjekut personal të presidentit, Dr. Sean Barbabella, dhe bazohet në kontrollin e rregullt vjetor që Trump kreu të martën në Qendrën Kombëtare Ushtarake Mjekësore Walter Reed.

Sipas raportit, presidenti 79-vjeçar iu nënshtrua një sërë ekzaminimesh të detajuara, duke përfshirë skanerë të avancuar, kontrolle të specializuara kardiake dhe teste parandaluese për forma të ndryshme të kancerit. Në vlerësimin mjekësor morën pjesë gjithsej 22 specialistë nga fusha të ndryshme.

Mjekët arritën në përfundimin se si gjendja fizike ashtu edhe ajo njohëse e Trump mbeten në nivele shumë të larta, duke theksuar se ai zotëron kapacitetin e plotë fizik dhe mendor për të ushtruar funksionin e presidentit të SHBA-së.

Vetë Trump kishte deklaruar menjëherë pas përfundimit të kontrolleve se gjithçka kishte shkuar “në mënyrë perfekte”, duke shprehur kënaqësi për rezultatet.

Raporti zbulon gjithashtu se pesha e presidentit amerikan ka arritur në 108 kilogramë, rreth gjashtë kilogramë më shumë krahasuar me vlerësimin e fundit zyrtar mjekësor të kryer në prill të vitit 2025.

Për këtë arsye, ekipi mjekësor i ka rekomanduar Trump ndryshime konkrete në regjimin ushqimor, aktivitetin fizik dhe menaxhimin e peshës trupore.

Megjithatë, specialistët theksojnë se pavarësisht këtyre rekomandimeve, gjendja e përgjithshme shëndetësore e presidentit mbetet shumë pozitive.

“Performanca e tij fizike dhe njohëse është e shkëlqyer”, thuhet në raportin mjekësor, duke konfirmuar se Trump vazhdon të jetë në gjendje të plotë për të ushtruar detyrat e tij presidenciale.