Komuniteti studentor në Arizona është tronditur nga një ngjarje e rëndë, ku një 20-vjeçare është gjetur e pajetë në apartamentin e saj pranë Universitetit të Arizonës në Tucson.
Për vrasjen e Julissa Ruby Salazar dyshohet partneri i saj, 19-vjeçari indian dhe gjithashtu student, Varun Bachigari.
Mediat lokale shkruajnë se, i riu dyshohet se e ka mbytur të dashurën pasi ajo kishte vendosur që t’i jepte fund lidhjes së tyre. Hetuesit dyshojnë se marrëdhënia mes të dyve ishte shoqëruar më herët edhe me episode dhune.
Policia u njoftua nga familjarët e Salazarit, të cilët ishin shqetësuar pasi nuk po merrnin përgjigje prej saj. Kur mbërritën në apartament, efektivët e gjetën studenten të vdekur në dhomën e saj.
Bachigari u identifikua si i dyshuari kryesor gjatë hetimeve. Sipas policisë, pas ngjarjes ai dyshohet se i mori viktimës telefonin celular dhe kartat e kreditit, ndërsa u dërgoi edhe disa mesazhe familjarëve të saj, duke shtuar shqetësimin e tyre.
Pas dyshimeve se ishte larguar nga vendi, autoritetet zbuluan se 19-vjeçari kishte shkuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Tucsonit, ku kishte marrë një fluturim drejt Hjustonit. Prej andej ai udhëtoi drejt Gjermanisë, me dyshimin se destinacioni përfundimtar ishte India.
Policia amerikane lëshoi një urdhër arresti dhe, pas koordinimit me autoritetet gjermane, Bachigari u arrestua në Berlin.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu detaje shqetësuese mbi marrëdhënien mes dy studentëve. Salazar dyshohet se po planifikonte të ndahej nga Bachigari, ndërsa më herët kishte pretenduar se ishte sulmuar seksualisht prej tij.
Dëshmitarë kanë deklaruar se disa ditë para se Salazar të gjendej e vdekur, kishin dëgjuar britma të forta që vinin nga apartamenti i saj. Shokët e saj të klasës i kishin dërguar mesazh për ta pyetur nëse ishte mirë. Ajo ishte përgjigjur se ishte mirë dhe se kishte pasur vetëm një debat.
Ndërkohë, ndaj Bachigarit kishte pasur edhe më herët një akuzë për sulm penal, ndërsa një tjetër grua kishte pretenduar se ai e kishte sulmuar seksualisht gjatë festimeve të Halloween-it.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e vrasjes dhe për të përcaktuar të gjitha akuzat me të cilat do të përballet i dyshuari.



