Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ndodhet para një prove të vërtetë këtë herë, teksa zgjehdjet presidenciale në Turqi afrohen.

Një “kundërshtar” i papritur duket se është kundërshtari më i fortë i presidentit, që lëkund pozitat e tij të sigurta para zgjedhjeve të së dielës.

Ky kundërshtar nuk është aspak politik, por është telenovela “Kizilcik Serbeti” dhe heroina kryesore, Nursema.

Nursema është një myslimane e devotshme me të cilën miliona gra në Turqi mund të identifikohen lehtësisht.

 Në film, Nursema martohet me një burrë të dhunshëm dhe konservator, i cili tenton ta përdhunojë dhe më pas tenton ta hedhë nga dritarja kur ajo reziston.

Skena ishte aq tronditëse sa drejtuesit e saj u gjobitën dhe telenovela ndaloi përkohësisht transmetimin në fillim të prillit. Sipas meidave turke, autoritetet thanë se duhej të ndërhynin për të parandaluar transmetimin ku shfaqej dhunë ndaj grave, por shumë vëzhgues thonë se qeveria ishte e shqetësuar nga mënyra se si u portretizua një familje thellësisht fetare në të cilën gratë nuk kanë aspak ose shumë pak të drejta.

Mbështetja e grave konservatore ishte vendimtare për ngritjen në pushtet të islamistit Erdogan, pasi për shumë ai ishte një figurë heroike duke pasur parasysh përjashtimin e grave të mbuluara nga shkollat, universitetet dhe vendet e punës.

Këto janë gratë, të cilat, megjithëse ndihmuan Erdoganin të ngrihej në pushtet, tani vënë në dyshim një sërë çështjesh, nga keqmenaxhimi ekonomik e deri te të drejtat e tyre.

Për më tepër, problem për Erdoganin është fakti se ai u bashkua me islamistët ekstremë në prag të zgjedhjeve, një lëvizje që shkakton shqetësim për një ndryshim të mundshëm për mbrojtjen e tyre nga dhuna në familje.

Kujtojmë se Recep Tayyip Erdogan u tërhoq në korrik 2021 nga Konventa e Stambollit që lufton dhunën ndaj grave me arsyetimin se lehtëson homoseksualitetin dhe minon vlerat familjare.

Sipas organizatave turke, vetëm në muajin prill, 21 gra u vranë nga burrat në Turqi dhe 23 u gjetën të vdekura në rrethana të dyshimta.