Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në Malin e Zi, ku një grua humbi jetën pasi u mbyt në lumin Moraça të Podgoricës.
Gruaja kishte rënë në lumë së bashku me foshnjën e saj, por kjo e fundit fatmirësisht arriti që të shpëtohej. Në fakt, heroi ishte deputeti shqiptar në Parlamentin e Suedisë, Adnan Dibrani, i cili e nxori foshnjën nga lumi.
Foshnja që u shpëtua është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, por gjithmonë ka rrezik komplikimesh, pasi bëhet fjalë për një fëmijë që nuk ka mbushur as dy muaj, ka thënë për RTCG, mjeku kujdestar nga Reparti Intensiv i Institutit për Sëmundjet e Fëmijëve.
Deputeti dibrani ka shpjeguar më pas se ndodhej rastësish në vendngjarje, duke qenë pjesë e misionit vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që pasoi ditën e zgjedhjeve në Mal të Zi.
Ai në intervistë për gazetën “Pobjeda” ka thënë se nuk besonte se do t’ia dilte.
“Po e kaloja urën dhe shikova drejt ujit kur pashë një grua dhe një fëmijë që notonin në lumë. Disa djem të tjerë erdhën, zbritën në lumë dhe nxorën foshnjën nga uji. Ndërsa të tjerë thirrën një ambulancë. Vrapova drejt tyre dhe pashë që po mbanin në krahë foshnjën, e cila nuk kishte shenja jete. Meqenëse kam një fëmijë të vogël në shtëpi, e dija çfarë të bëja në situatë të tillë. E mora foshnjën prej tyre dhe u përpoqa të bëja atë që di, sa më mirë që mundem, e shtrëngova foshnjën, dhe ia nxora ujin nga mushkëritë. Kur e dëgjova të qartën e tij, nxitova te urgjenca dhe ia dorëzova foshnjën”, thotë Dibrani.
Më tej ai shtoi se foshnjë kishte qëndruar në ujë për disa minuta dhe rrezikonte të mbytej. Fatkeqësisht nëna nuk undi të mbijetonte edhe pse u nxor në breg me shenja jete.
“Vetëm shpresoja që fëmija të fillonte të merrte frymë. Dhe kur dëgjova britmën e tij, më dha energji shtesë për t’ia dalë mbanë që ta shpëtoj. Do të përqafoj fëmijët e mi, dhe në mendjen time shpresoj që foshnja së shpejti të jetë sërish e shëndetshme me prindërit e tij”, u shpreh Dibrani.