Shtëpia e një kryetari bashkie periferike në Paris është sulmuar herët në mëngjesin e kësaj të diele. Kryebashkiaku Vincent Jeanbrun i L’Hay-les-Roses e ka konsideruar atë ‘një tentativë vrasje’ ndaj familjes së tij në mes të trazirave të vazhdueshme në vend.
“Në orën 1:30 të mëngjesit, ndërsa isha në bashkinë e qytetit si tre netët e kaluara, disa individë u përplasën me makinën e tyre në banesën time përpara se t’i vinin zjarrit për të djegur shtëpinë time, brenda së cilës flinin gruaja ime dhe dy fëmijët e mi të vegjël,” tha Vincent Jeanbrun.
Sipas kryebashkiakut, gjatë përpjekjes për të mbrojtur fëmijët dhe për t’u shpëtuar sulmuesve, gruaja e tij dhe një nga fëmijët e tij u plagosën.
“Ishte një tentativë vrasjeje e një frikacaku”, tha kryebashkiaku Jeanbrun. Nga ana tjetër policia ka nisur një hetim rreth kësaj ngjarjeje.
Ndërkohë Franca është tronditur nga një valë protestash pas vdekjes së Nahel Merzouk, një 17-vjeçari me origjinë algjeriane, i cili u qëllua nga një oficer policie në Nanterre në fillim të javës dhe funerali i të cilit u bë të shtunën në një xhami në Nanterre, mes një pranie të madhe sigurie.