Një ngjarje tronditëse është regjistruar në Gjermani, ku një foshnjë 3-muajshe është gjetur e vdekur, më pak se 24 orë pasi u rrëmbye nga një karrocë jashtë shtëpisë.
Ky ras ka tronditur rajonin jugperëndimor të Baden-Württemberg dhe është nën hetim të plotë policor, raporton Welt.
autoritetet policore kanë bërë të ditur se, foshnja dyshohet se u rrëmbye nga një person i panjohur teksa ndodhej në karrocë jashtë banesës së saj në Gjermani.
Ndërkohë nëna 37-vjeçare deklaroi se e kishte lënë foshnjën vetëm për pak minuta në trotuar, ndërsa po transportonte qeset e blerjeve në katin e dytë të pallatit ku banon.
Ajo u tha autoriteteve se ishte kthyer nga pazari dhe e kishte lënë përkohësisht foshnjën jashtë shtëpisë për të marrë çantat lart, por kur u kthye poshtë, fëmija ishte zhdukur.
Një operacion i gjerë kërkimi nisi menjëherë në zonë, duke përfshirë forca policie, qen nuhatës dhe dronë, ndërsa kërkimet u përqendruan në një zonë më të gjerë rreth vendit të zhdukjes. Të premten pasdite, më pak se 24 orë pas rrëmbimit, trupi i një foshnje u gjet pranë një përroi të lumit Rankbach që rrjedh nëpër zonë.
Autoritetet po shqyrtojnë mundësinë që të jetë fëmija i zhdukur, ndërsa procesi zyrtar i identifikimit është duke u zhvilluar. Gjyshja e foshnjës, duke folur për gazetën gjermane BILD, përshkroi se si vajza e saj ishte kthyer nga pazari me çanta dhe po përgatitej t’i çonte ato në apartament kur ndodhi incidenti.
Autoritetet po hetojnë të gjitha mundësitë, përfshirë mundësinë që nëna dhe fëmija të jenë ndjekur gjatë rrugës për t’u kthyer nga dyqanet aty pranë, rreth 15 minuta larg shtëpisë së tyre.
Sipas raportimeve lokale, ata kishin shkuar për pazar pak para se dyqanet të mbylleshin, rreth orës 22:00, dhe u raportuan të zhdukur rreth orës 23:30. Një zëdhënës i policisë tha se fëmija u la pa mbikëqyrje për një kohë të shkurtër dhe se “një person i panjohur e mori nga karroca dhe e çoi me vete”.



