Një ngjarje tronditëse është zbuluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku një baba ka përfunduar në prangat e policisë pasi dyshohet se vrau djalin e tij të mitur. Por jo vetëm kaq, ai e fsheu trupin e 4-vjeçarit në oborrin e familjes.
Mediat vendase shkruajnë se i arrestuari është Jacob Bevins, 36 vjeç. Ai përballet me akuza për vrasje të paqëllimshme dhe dhënie deklaratash të rreme ndaj autoriteteve, pasi hetimet zbuluan se djali i tij, Aiden Bevins, kishte humbur gjurmët prej më shumë se një viti.
Thuhet se rasti nisi të hetohej më 12 maj, kur policia po kërkonte vajzën 6-vjeçare të familjes. Gjatë verifikimeve, autoritetet konstatuan se vajza ishte e sigurt pranë nënës së saj, por vunë re mungesën e vëllait të saj 4-vjeçar.
Fillimisht, babai u tha hetuesve se fëmija po jetonte me të afërm në një shtet tjetër. Edhe nëna e të miturit, e cila ndodhej në burg në kohën e zhdukjes, deklaroi se besonte se djali ishte në Idaho me familjarë. Megjithatë, pasi policia kontaktoi të afërmit, ata mohuan të kishin parë ndonjëherë fëmijën.
Më 15 maj, hetuesit zbuluan trupin e 4-vjeçarit të futur në një qese mbeturinash dhe të varrosur në oborrin e një shtëpie në pronësi të gjyshes së fëmijës dhe të babait të tij. Gjatë marrjes në pyetje, 36-vjeçari fillimisht pranoi se e kishte goditur të birin në kokë, duke shkaktuar vdekjen e tij. Më pas ai ndryshoi versionin, duke pretenduar se fëmija ishte rrëzuar aksidentalisht dhe kishte humbur jetën pasi kishte goditur kokën.
Megjithatë, ekspertiza mjeko-ligjore arriti në përfundimin se plagët e viktimës ishin shkaktuar nga një objekt i fortë, një fakt që bie ndesh me pretendimin e fundit të të dyshuarit. Hetimet kanë nxjerrë në pah edhe shqetësime të mëparshme për sigurinë e dy fëmijëve. Aiden dhe motra e tij kishin qenë më parë në kujdestari, ndërsa ish-prindërit kujdestarë deklaruan se kishin njoftuar disa herë Shërbimet Mbrojtëse të Fëmijëve për problemet dhe rreziqet që, sipas tyre, kërcënonin mirëqenien e të miturve. Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e krimit që ka tronditur komunitetin lokal.



