Teksa Volodymyr Zelensky u shpreh i gatshëm të rikuperonte marrëdhëniet me SHBA-në, pas përplasjes me presidentin Donald Trump, ky i fundit ka bërë një lëvizje befasuese, që ka shtangur të gjithë aleatët e NATO-s. Donald Trump urdhëroi pezullimin e të gjitha ndihmave ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, duke vijuar të shtojë presionin mbi Zelenskyn për t’i dhënë fund luftës sipas kushteve të tij.
“Presidenti ka qenë i qartë se ai është i fokusuar në paqe. Ne kemi nevojë që edhe partnerët tanë të jenë të përkushtuar ndaj këtij qëllimi. Ne po ndalojmë dhe rishikojmë ndihmën tonë për të siguruar që ajo po kontribuon në një zgjidhje”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Nga ana tjetër, një tjetër zyrtar duke folur për mediat, theksoi se nuk është heqja përfundimtare e ndihmave, por është një pezullim i përkohshëm.
“Do të ndalohet dërgimi i të gjitha paisjeve ushtarake që nuk janë dërguar ende në Ukrainë dhe po ashtu, të gjithë ndihma e ardhshme rrezikojnë të mos dërgohen.”– tha ai.



