Një baba ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale, pasi dyshohet se i ka vendosur vajzës së tij një kamerë sigurie në kokë. Ngjarja ka ndodhur në Pakistan dhe këtë veprim e ka bërë në mënyrë që t’a monitorojë vazhdimisht dhe të sigurohet që ajo është e sigurt.
Ky rast është bërë menjëherë viral në rrjetin social X, ku video mban titullin ‘Siguria e nivelit tjetër’. Pamjet në fjalë tregojnë një vajzë duke dhënë një intervistë teksa mban mbi kokë një kamerë të ngjashme me ato të sistemit CCTV.
E pyetur për aksesorin e pazakontë, ajo shpjegoi se ideja kishte qenë e babait të saj dhe se nuk kishte kundërshtuar, pasi e kuptonte shqetësimin e prindërve për sigurinë e saj.
next level security pic.twitter.com/PpkJK4cglh
— Dr Gill (@ikpsgill1) September 6, 2024
Sipas saj, vendimi erdhi pas një ngjarjeje tragjike në qytetin e Karaçit, ku një vajzë e re humbi jetën në rrethana të dhunshme. Pas këtij rasti, babai i saj, të cilin ajo e quajti me humor “roja ime personale e sigurisë”, i propozoi të mbante kamerën sa herë dilte nga shtëpia, në mënyrë që ai të mund të ndiqte lëvizjet e saj.
Megjithëse ideja është konsideruar e çuditshme dhe ka shkaktuar reagime të shumta në internet, e reja këmbënguli se kërcënimet ndaj grave në Karaçi janë reale dhe se familja e saj kishte arsye të forta për t’u shqetësuar.
Ndërkohë përdoruesit e rrjeteve sociale ngritën pikëpyetje mbi efektivitetin e kësaj mase. Shumë prej tyre vunë në dukje se një kamerë e vendosur në pjesën e përparme të kokës nuk do të ishte shumë e dobishme në rast se dikush do ta sulmonte nga pas.
Të tjerë spekuluan se familja mund të jetë mbështetur te fakti që vetë prania e dukshme e një kamere sigurie mund të shërbejë si faktor frenues për personat me qëllime të këqija.



