Kreu i Komisionit Europian, Ursula von der Leyen e përshkroi samitin e liderëve në Londër një “diskutim të mirë dhe të hapur”.
Ajo tha se ata diskutuan për nevojën për garanci të plotë sigurie, duke përfshirë vendosjen e Ukrainës në një pozicion të forcës dhe sigurisë që ajo të ketë mjetet për të “forcuar dhe mbrojtur” veten. Ajo thotë se kjo shtrihet nga mbijetesa ekonomike deri te qëndrueshmëria ushtarake.
“Duhet të kemi një rritje të mbrojtjes, duhet të veprojmë masivisht. Nevojitet një plan i qartë nga Bashkimi Europian dhe një qasje e përbashkët evropiane. Tani është me rëndësi të madhe që të rrisim shpenzimet… është e rëndësishme që të përgatitemi për më të keqen”, tha ajo.
Ajo gjithashtu dërgoi një mesazh për Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, duke thënë se duhet mbrojtur parimi “Nuk mund të pushton fqinjit e tu”.
“Jemi gati së bashku me ju për të mbrojtur demokracinë, për të mbrojtur parimin se ekziston një rend ligjor që nuk mund të pushtosh fqinjët e tu ose të ndryshosh kufijtë me forcë. Është në interesin tonë të përbashkët që të parandalojmë luftërat e ardhshme”, shtoi ajo.



