Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen pati një bisedë telefonike me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ku i ka siguruar mbështetjen e Evropës në luftën kundër Rusisë. Siç thekson Presidentja e Komisionit Evropian në postimin e saj në rrjetin “X”, BE do të ndajë 28.3 miliardë euro për të mbuluar nevojat ushtarake të Ukrainës, në formën e një kredie mbështetëse.
“Unë përsërita mbështetjen e plotë të Evropës për Ukrainën, ndërsa Rusia vazhdon në luftën e dhunshme të agresionit që ka nisur. Kredia mbështetëse për Ukrainën do të japë një kontribut vendimtar. Vetëm këtë vit, ajo do të ndajë 28.3 miliardë euro për të mbuluar nevojat ushtarake të Ukrainës ”, theksoi Von der Leyen.
Kujtojmë se ky njoftim nga Von der Leyen vjen pas raportimeve se Zelensky i ishte drejtuar me një letër presidentit amerikan Donald Trump, ku i kërkonte ndihmë dhe sisteme të tjera raketore “Patriot”.

