Zjarri i fuqishëm që ka përfshirë Hong Kongun është bërë ngjarja më vdekjeprurëse në të paktën 63 vitet e fundit. Autoritetet konfirmojnë se të paktën 44 persona kanë humbur jetën, ndërsa 279 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.

BBC raporton se zjarri shpërtheu në një kompleks banimi, por ende nuk dihen shkaqet e tij. Flakët u përhapen nga rrjeta jeshile e ndërtimit dhe skelat prej bambuje, të cilat qeveria kishte filluar t’i nxirrte jashtë përdorimit që në muajin mars, për arsye sigurie.

Bilanci aktual i viktimave tashmë ka barazuar tragjedinë e gushtit të vitit 1962 në zonën Sham Shui Po, ku një zjarr i madh shkaktoi vdekjen e 44 personave dhe la qindra të pastrehë.

Sipas South China Morning Post, rreth 22.7 kilogramë fishekzjarre të ruajtura në ndërtesë kishin bërë që flakët të përhapeshin me shpejtësi në katet e sipërme.

Një tjetër zjarr i rëndë në nëntor të vitit 1996, në ndërtesën Garley në Kowloon, kishte shkaktuar vdekjen e 41 personave dhe plagosjen e 81 të tjerëve.

Ngjarja më tragjike e regjistruar ndonjëherë në Hong Kong daton në vitin 1948, kur një shpërthim në katin përdhes të një magazinë pesëkatëshe që përmbante “mallra të rrezikshme” shkaktoi vdekjen e 176 personave.