Metereologia e njohur, Lajda Porja, ka qenë një ditë më parë e ftuar në studion e emisionit “Ftesë në 5” me Bieta Sulon, ku ka bërë parashikimin e motit për këtë javë.
Porja u shpreh se parashikon që të enjten, premten, shtunën dhe të dielën të ketë pak freski. Sipas saj, pas datës 7 korrik do të futet një masë e përqendruar, e cila do të fillojë më herë në gadishullin Iberik.
“Për klimën tonë, për Europën jugore, për brigjet mesdhetare, i kemi parë të paktën në dy dekadat e fundit temperaturat 40 gradë. Presim këtë javë një freskim të motit. Në Europën qendrore fillon të përmirësohet moti sepse është një masë pak më e freskët nga pjesa e polit të veriut që po depërton dhe menjëherë duke qenë se aty ende është ajri i nxehtë, do të kenë stuhi, rrebeshe shiu, do ketë breshër, do ketë zona të cilat do kenë përmbytje të përkohshme. Më pas kjo masë, e cila aktualisht është në rajonin e Ballkanit dhe po postohet drejt vendeve të lindjes, duke bërë që edhe Rusia të përjetojë temperatura të larta. Aktualisht deri të mërkurën ne do jemi me temperatura të larta. Sot me 40 gradë, e marta dhe e mërkura kanë një rënie diku me 1 e gjysmë gradë dhe diku vetëm me 1 gradë, por rritet lagështira nesër pasi rritet dhe probabiliteti për të patur reshje, në momentin që kemi lagështirë e ndjejmë 5 gradë më shumë. Parashikoj që të kemi freskim të enjten, të premte, të shtunën dhe të dielën. E janë vetëm këto ditë të freskëta.
Pas datës 7 do të futet një masë shumë e përqendruar, e cila do të fillojë më herët në gadishullin Iberik. Në Portugali dhe Spanjë do të fillojë që nga dita e mërkurë, edhe Anglia do të ketë po ashtu temperatura shumë tv larta. Mbetemi pak më freskët në periferi, Ballkani dhe brigjet e Greqisë dhe një pjesë e Turqisë. Pas datës 7 korrik ajo do të futet pothuajse në të gjithë Europën. Mund të kemi një zonë shumë të izoluar në veri dhe verilindje të Europës. Mund të jetë pjesërisht Rusia dhe e gjithë Europa do të përjetojë temperatura përvëluese.
Madje është cilësuar kjo dhe do të krahasohet me verën e 2023, që është vera më e nxehtë në histori, kur ne kemi folur bashkë në studio, kemi patur 21 ditë të nxehta, është quajtur Lucifer dhe ka qëndruar shumë gjatë, ka qenë e përqendruar kryesisht në Europën jugore. Është thyer rekordi historik për kontinentin Eurpian në Sirakuzë me 48.8 gradë. Parashikohet që të thyhet sërish ky rekord”, tha metereologia e njohur.

