Ka ardhur reagimi i parë nga Kosova në lidhje me deklaratën e rëndë të ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila tha në një intervistë në mediat serbe se “po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviç më 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën”. Ministri për Familjen dhe Vlerat e Luftës, Andin Hoti, ka thënë se kjo deklaratë tregon që Serbia nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale.

“Babai yt ideologjik, Millosheviç, provoi të njëjtën gjë në Kosovë. Përfundoi para drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa Serbia u largua nga Kosova me bisht ndër shalë. Përgjigjja e popullit të Kosovës, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e botës demokratike dihet. Kosova mbeti e lirë. Millosheviç përfundoi si kriminel lufte dhe sot han dhe.  Të njëjtin fat do ta kishe edhe ti, dhe do ta kesh sa herë që tenton. Kushdo që sot bën thirrje për spastrim etnik nuk është vetëm kërcënim për Kosovën. Ai është dëshmi se Serbia ende nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale e Millosheviç dhe nga politika kriminale që solli luftëra, masakra dhe turp historik”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërkohë, Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në një reagim në “Facebook”, kanë thënë se “përballja me të kaluarën mbetet parakusht për ndërtimin e besimit dhe paqes së qëndrueshme në rajon”.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç  ishte shkaktari i luftës në Kosovë, vrasjes së mbi 13 mijë personave e dëbimit të një milionëve para 27 vjetësh. Ai vdiq më 11 mars 2006 në Tribunalin e Hagës, i akuzuar, por i pa dënuar, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë.