Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas deklaratave kërcënuese të presidentit serb Aleksandar Vuçiç, se Serbia po përgatitet për të focuar ushtrinë por edhe për të ndryshuar rrjedhën e lumit Ibër, një burim thelbësor për furnizimin me ujë për Kosovën.
Kurti ka ngritur shqetësimin se zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë nuk duhet parë thjesht si një proces modernizimi, por si pjesë e një strategjie më të gjerë politike dhe diplomatike të Beogradit. Ai deklaroi se forcimi i ushtrisë serbe lidhet me synimet e Serbisë ndaj rajonit, veçanërisht ndaj Kosovës.
“Zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë nuk është thjesht një përpjekje për të modernizuar ushtrinë e saj, po një strategji më e gjerë politike dhe diplomatike që lidhet drejtpërdrejt me synimet hegjemoniste karshi rajonit tonë, e veçanti Kosovës. Retorika e vazhdueshme e liderëve të saj dëshmon vijimësinë e pretendimeve ekspansioniste të Serbisë në rajon, shoqëruar me thirrje për fuqizimin e mëtejshëm të kapaciteteve ushtarake për arritjen e këtij qëllimi”, tha Kurti.
Ndërkohë, mesazhet kërcënuese ndaj Kosovës vazhdojnë të shfaqen në hapësirën publike në Serbi. Së fundmi, në Peruçac, në zonën e Bajina Bashtës, është shfaqur një grafit me mbishkrimin: “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”. Grafiti është vendosur në një mur përgjatë rrugës në drejtim të Mitrovacit, në Tarë, me shkronja të mëdha dhe në ngjyrat e flamurit serb. Sipas raportimeve të mediave lokale serbe, mbishkrimi është shfaqur më 9 gusht.

