Detaje të reja janë zbardhur nga sulmi ndaj gazetarëve, i ndodhur mesditën e djeshme në veri të Kosovës.
Policia në Kosovë ka njoftuar se në Leposaviç u sulmuan nëntë gazetarë e kameramanë. Ata janë sulmuar nga një grup i protestuesve, teksa ishin duke kryer detyrën gjatë vizitës së Ministrit Elbert Krasniqi në Komunën e Leposaviçit.
Sipas Policisë, personat kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për mjekim në spital. Po ashtu, raportohet se një gazetar ka marrë dëmtime më të rënda, dhe për këtë arsye i është nënshtruar një operacioni.
Ditën e djeshme qarkulloi në media dhe një video, ku gazetarët dhe operatorët shiheshin teksa vraponin, për t’iu shmangur bombave molotov të hedhura në drejtim të tyre. Po ashtu, disa protestues shihen teksa i dhunojnë fizikisht gazetarët.
Njoftimi i policisë:
Rruga APJ, Leposaviç 16.06.2023 – 14:24. Nëntë persona (pesë meshkuj dhe katër femra) gazetarë e kameraman janë sulmuar fizikisht nga një grup i protestuesve derisa ishin duke kryer detyrën gjatë vizitës së një ministri të qeverisë në komunën e Leposaviçit. Viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit kanë pranuar trajtim nga ekipi mjekësor në stacionin policor në Leposaviç. Njëri nga viktimat dyshohet të ketë lëndime të rënda (frakturë në dorë) dhe i njëjti është udhëzuar për trajtim të mëtutjeshëm. Përveç sulmit të dyshuarit kanë marrë nga një gazetare një telefon celular dhe një kamerë të RTK-së. Rasti është iniciuar në konsultim me prokurorin dhe mbetet në hetime të mëtutjeshme.