Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar sot se nuk do të marrë pjesë në takimin me kryeministri e Kosovës, Albin Kurti, që është thirrur nga Brukseli.
“Unë e konsideroj të pakuptimtë të flas me një person që nuk është i gatshëm të flasë”, tha Vuçiç për gazetarët në Beograd.
Presidenti i Serbisë saktësoi se do të vendosë nëse, siç tha ai, “teknikisht të paraqitem në atë takim”, duke shtuar se ky do të jetë një vendim i tij strategjik për të cilin do ta informojë opinionin.
“Por, të flasim me Kurtin, jo”, shtoi ai.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, ka ftuar Kurtin dhe Vuçiçin në një takim që është thënë se do të mbahet javën e ardhshme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ende nuk ka vendosur nëse do të shkojë në takimin e Brukselit. Ai të shtunën, më 17 qershor, deklaroi për mediat në Prishtinë, se ekipi i tij do t’i përgjigjet ftesës së Borrellit në fillim të javës së ardhshme.
Vuçiç tha po ashtu se takimi me kryeministrin e Kosovës ishte kushtëzuar me përmbushjen e kërkesave të Serbisë: tërheqjen e kryetarëve shqiptarë nga komuna e Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, tërheqjen e Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës dhe lirimin e serbëve të arrestuar.