Në ditën e 19-të nga vendosja e barrikadave në veri të Kosovës, pikëkalimi kufitar në Merdare është mbyllur për shkak të vendosjes së barrikadave në Serbi rreth dy kilometra nga ky kufi.

Lajmin e njoftoi mbrëmjen e 27 dhjetorit Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në Kosovë, ndërsa mësohet se barrikada është vendosur nga pala serbe.

Merdarja është një prej pikëkalimeve kufitare me Serbinë – përdoret në masë të madhe nga diaspora kosovare për hyrje-dalje nga Kosova.

“Pikë Kalimi Kufitar në Merdare është i mbyllur për Hyrje-Dalje për faktin se në Republiken e Serbisë janë vendosur barrikada rreth 2 kilometra nga Kufiri në Merdare.
Deri në njoftim tjetër PKK Merdare do jetë e mbyllur. Të shfrytëzohen Pikë Kalimet Kufitare tjera!”-njofton Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në Kosovë.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e u ka bërë thirrje emigrantëve të përdorin pika të tjera.