Pas vendimit të marrë nga njëri prej koordinatorëve të grevës së urisë të ish-të persekutuarve politikë në ditën e 22 të saj, Asllan Patrioti për t’u larguar nga ky post, ka ardhur edhe tërheqja e tij nga vendimi, i cili sipas Patriotit u mor në kushtet e një presioni të madh psikologjik.


Në një dalje për mediat, dy koordinatorët e kësaj greve, Skënder Tufa dhe Asllan Patrioti deklaruan se do të vijojnë të jenë të dy në ballë të grevës së ish-të përndjekurve që janë ngujuar prej shumë ditësh në kërkim të të drejtave të tyre legjitime.


Patrioti theksoi se ka pasur moskuptime nga ana e grevistëve dhe nga ana e tij për shkak të gjendjes së rënduar në të cilën ndodhen grevistët prej 22 ditësh pa ngrënë dhe tashmë edhe prej dy ditësh pa pirë ujë, por siguroi se ai do të vijojë të mbështesë kërkesat e tyre si koordinator i grevës së urisë.


Greva e ish-të përndjekurve, dorëhiqet njëri nga koordinatorët


Në ditën e 22 të grevës së urisë, një nga ish-të përndjekurit politikë, i cili ishte pjesë e kësaj greve, ka lënë ambientet saj për arsye familjare. Sipas informacioneve që japin grevistët e tjerë, Arif Beu është detyruar të largohet prej saj për shkak se ka vajzën shumë sëmurë të shtruar në spital dhe vetë ish-i përndjekuri siguroi se do të rikthehet sërish në grevë pasi të takojë vajzën e tij.


Ndërkohë një tjetër zhvillim i papritur nga greva e urisë së ish-të përndjekurve në orët e pasdites ka qenë dorëheqja e një prej koordinatorëve të saj, gjë që mendohet të ketë ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve që kishte me ish-të përndjekurit politik të cilët janë në grevë urie. Kështu Asallan Patrioti ka vendosur të tërhiqet nga posti që mban në këtë grevë, duke e lidhur këtë vendim me akuzat që i janë bërë nga brenda grevës për deklarata politike.


“Unë kam qenë një person që kam mbajtur peshën në kurriz të kësaj greve. Jam dorëheqjen si koordinator i grevës së urisë. Deklaratat e bëra aty e brenda se unë kam bërë deklarata politike dhe ekonomike t’i sqarojnë ata brenda që janë nëpër çadra”.


Pas këtij vendimi kanë reaguar grevistët e tjerë, të cilët janë shprehur se veprimi i Patriotit është emocional dhe ka ardhur si rezultat i lodhjes së gjatë dhe kushteve të një presioni të madh psikologjik që ushtrohet mbi ta. Ata theksuan se Patrioti do të vijojë të jetë koordinatori i tyre, ndërsa u treguan të vendosur t’u shkojnë deri në fund kërkesave të tyre, të cilat theksuan se nuk janë kurrsesi politike por thjesht dhe vetëm ekonomike.


Tërhiqet policia, lejon ujin dhe ilaçet për grevistët


Policia e shtetit, e cila mbajti në gjendjen e shtetrrethimit për ditë me rradhë zonën e grevës së urisë së ish- të persekutuarve politikë, u tërhoq sot duke lejuar furnizimin me ujë dhe me ilaçe të grevistëve, ndërsa lejoi edhe gazetarët të afrohen dhe të flasin me të ngujuarit.


Grevistët njoftuan se do të ndërpresin grevën e ujit si dhe do të rifillojnë konsumimin e ilaçeve, një pjesë të të cilave u janë ofruar nga Ambasada e Francës për qytetarin e vet Lavdosh Beqo, 81 vjeç, i cili ka deklaruar se ka hyrë në grevë urie për solidarizim me shokët e tij të burgut, por jo për të kërkuar dëmshpërblim.


Grevistët vijojnë të këmbëngulin se greva e tyre është e karakterit ekonomik dhe jo politik.


Beqo deklaroi se nuk pranon të shkojë në spital pasi nuk ka besim se do të lejohet të kthehet.


“Unë jam në gjendje shumë të mirë [ekonomike] dhe kam ardhur këtu për t’u solidarizuar me shokën e mi,” tha ai.


Greva e urisë, tre grevistë refuzojnë mjekimin. Tufa thirrje SOS: Mos i lini të vdesin.


Greva e urisë së ish-të përndjekurve politik ka hyrë në ditën e 22-të dhe gjendja e tyre shëndetësore është rënduar së tepërmi gjatë 24 orëve të fundit. Sipas koordinatorit të kësaj greve, Skënder Tufa, tre nga grevistët: Llazi Koçi, Besim Valteri dhe Fatmir Lloshi kanë shfaqur probleme shëndetësore serioze, por kundërshtojnë dërgimin në spital për të marrë ndihmën e duhur mjekësore.


Mesditën e sotme, një grup gazetarësh bënë thirrje për solidarizim me grevistët dhe për protestë nesër në orën 12 para kryeministrisë.


Pasditen e djeshme gjendja në grevën e urisë është tensionuar pas ndërhyrjes së policisë, e cila ka hequr të gjitha lëngjet, duke u lënë vetëm ujë. Pas kësaj, grevistët kanë vendosur të ndërmarrin një masë më ekstreme, të ndërpresin dhe ujin duke hyrë në një “grevë vdekjeje”. Tufa i bëri sërish apel qeverisë të negociojë me ish-të përndjekurit për plotësimin e kërkesave të tyre, plotësisht ekonomike.


“Qeveria hesht, gjendja e grevistëve është rënduar. Bëjmë apel që të kthehet greva në normalitet. Të vazhdojmë bisedimet, të zgjidhen problemet tona. Mos prisni që të vdesin, ndërhyni menjëherë”, apeloi Tufa. Ai ka theksuar se ka marrë premtim nga Presidenti dhe Avokati i Popullit për zgjidhjen e problemit, por ende nuk është bërë ndonjë hap konkret. “Ndërhyrja e BE dhe SHBA na entuziazmoi dje për problemin, edhe Presidenti Nishani mbështeti grevistët, por dje policia ndërhyri duke mos lejuar lëngjet brenda grevës dhe kontaktin me grevistët”, tha Tufa për mediat.


11:00-Mbështetësit e grevës kërkojnë heqjen e kordonëve të policëve


Mbështetësit e grevës së urisë, të ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, nuk janë lejuar nga policia të takohen me grevistët. Ata kanë kërkuar heqjen e kordonëve policor, por megjithë këmbënguljen e tyre, policia nuk i ka lejuar të shkojnë pranë çadrave të grevistëve. Më herët policia nuk lejoi hyrjen e familjarëve të grevistëve, por pas negociatave të organizatorëve të grevës ata janë lejuar për disa minuta. Policia ka shtuar masat në zonën ku zhvillohet greva e ish-të përndjekurve. Një lokal u bastis me pretekstin e kontrollit për armë, ndërkohë të tjerëve u bëhet “reprezalje” në rast se vizitohen nga organizatorët e grevës.


14:30- Përfaqësia kosovare pengohet të takohet me grevistët


Greva e ish-të përndjekurve politikë ka gjetur jehonë në Kosovë. Mesditën e sotme, çadrat e grevistëve të urisë është vizituar nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosja dhe Kuvendit të Bujanovcit. Fillimisht ata nuk janë lejuar të hyjnë në ambientet ku prej 22 ditësh zhvillohet greva e urisë, por pas deklaratës publike të tyre, ata janë lënë të kalojnë. “Ka qenë dëshira jonë për të ardhur dhe takuar grevistët. Unë kam bërë disa vite burg në ish-Jugosllavi, e më dhemb shpirti kur i shoh se si vuajnë këta grevistë. Apeloj tek qeveria e Shqipërisë që të plotësojë dhe implementojë kërkesat e tyre”, ka thënë për mediat Jonuz Musli, kryetar i Kuvendit të Bujanovcit.


Greva


Ish-të përndjekurit politikë kanë nisur mbrëmjen e 22 shtatorit grevën e urisë. Ata kërkojnë marrjen e dëmshpërblimit të merituar për vitet e burgut, por ende nuk kanë marrë zgjidhje konkrete për kërkesat e tyre nga qeveria, e cila disa herë e ka cilësuar grevën si politike. Pas akuzave të ngritura ndaj tyre, dy prej grevistëve kanë ndërmarr aktin ekstrem të vetëdjegies me benzinë, ndërsa një tjetër ish- i përndjekur politikë është neutralizuar në kohë nga policia pa mundur të finalizojë aktin e vetëflijimit.


13 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)