Kreu i qeverisë, Edi Rama, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me protestën e zhvilluar kundër projektit në Zvërnec. Kryeministri deklaron se Shqipëria do të ecë përpara me projektet e saj pavarësisht kundërshtimeve.
Në mesazhin e publikuar në profilin e tij në “Facebook”, Rama e cilësoi postimin e tij si një “video-kartolinë të pazakonshme nga Shqipëria e shqiptarëve”. Më pas theksoi se qeveria do të vijojë zbatimin e programit për të cilin, sipas tij, ka marrë mandatin nga qytetarët.
Postimi i plotë i Edi Ramës në “Facebook”:
‘MIRËMËNGJES
dhe me ndjesën për këtë video-kartolinë të pazakonshme nga “Shqipëria e shqiptarëve”, e duke i siguruar të gjithë se Shqipëria do bëhet sipas kontratës që kemi lidhur për herën e katërt në majin e shkuar me 83 vota, pavarësisht se ça thonë e ça duan këta shqiptarët që e dinë Shqipërinë pengun e verbërisë së tyre dhe atdhedashurinë podium për të sharë me libër shtëpie tradhëtarët e armiqtë imagjinarë Shqipërisë, ju uroj një ditë të mbarë me një përqafim të veçantë për ata të mitë që kanë mbetur akoma peng i një proteste të cilës i ka humbur çdo arsye reale e nisjes’.
Deklarata e Ramës vjen në një kohë kur debati mbi projektin në Zvërnec dhe kundërshtimet e banorëve e aktivistëve vijon të mbetet në qendër të vëmendjes publike.



