Noah Wyle është shpallur “Mashkulli më seksi në botë” për vitin 2026 nga revista PEOPLE, duke marrë një nga titujt më të komentuar në botën e showbiz-it. Aktori 55-vjeçar, i cili ka fituar sërish vëmendjen e publikut me rolin e doktor Robby në serialin “The Pitt”, pranoi se lajmi e kishte zënë krejtësisht të papërgatitur.

“Mendova se ishte një shaka. As në një milion vjet nuk e kisha imagjinuar se do të më jepej një nder i tillë”, u shpreh Wyle, duke treguar se fillimisht nuk e kishte besuar lajmin. Me humor, aktori shtoi se shpresonte që ky vlerësim t’ia ndryshonte jetën, përpara se të pranonte se çmimi do t’i sillte kryesisht ngacmime nga miqtë dhe familjarët.

Për Wyle, ky titull vjen pas një karriere të gjatë në televizion, që nisi të fitonte vëmendje të madhe në vitin 1994, kur interpretoi doktor John Carter në serialin e famshëm mjekësor “ER”. Më shumë se tri dekada më vonë, ai është rikthyer në qendër të vëmendjes me “The Pitt”, ku luan Michael “Robby” Robinavitch, një mjek në një spital të Pitsburgut, i cili përballet çdo ditë me situata të vështira profesionale dhe personale.