Një gjykatë civile në Arezzo të Italisë ka urdhëruar dy të rinj italianë të paguajnë mbi 1 milion euro dëmshpërblim për prindërit e Martina Rossi-t, studentes 20-vjeçare që humbi jetën në vitin 2011 në Palma de Mallorca. Sipas vendimit, Martina Rossi ra nga ballkoni i një hoteli teksa përpiqej t’i shpëtonte një tentative përdhunimi.
Gjykata dënoi Alessandro Albertoni dhe Luca Vanneschi me pagesën e rreth 490 mijë eurove për nënën e viktimës, mbi 457 mijë euro për babanë dhe më shumë se 74 mijë euro të tjera si dëmshpërblim shtesë për familjen. Dy të rinjtë ishin dënuar më herët me 3 vite burg për tentativë dhune seksuale ndaj studenten italiane.
Edhe pse akuza për “vdekje si pasojë e një krimi tjetër” ishte parashkruar në procesin penal, gjykata civile arriti në përfundimin se vdekja e vajzës lidhej drejtpërdrejt me tentativën për t’i shpëtuar sulmit seksual.
Babai i Martinës deklaroi pas vendimit se kjo ishte pasoja natyrale e dënimit penal dhe shtoi se autorët nuk kishin kërkuar kurrë falje ndaj familjes. Ngjarja e Martina Rossi-t ka tronditur prej vitesh opinionin publik në Itali dhe është kthyer në një nga rastet më të njohura të drejtësisë italiane për dhunën seksuale dhe përgjegjësinë civile.



