Cristiano Ronaldo ka një tjetër “version” të tij në rrjetet sociale. Quhet Luca Sperandio, është 28 vjeç, jeton në Itali dhe ngjashmëria e tij me yllin portugez është aq e madhe, sa shpesh njerëzit ndalojnë për ta parë nga afër. Në Instagram ai njihet si “Crspera” dhe profili i tij ka kaluar shifrën e 400 mijë ndjekësve. Përmbajtja që publikon është e lidhur kryesisht me futbollin dhe me personazhin që ai imiton prej vitesh.

Por Luca nuk është futbollist profesionist në Portugali dhe as nuk luan në sulm. Ai është pjesë e Garinos, një skuadër italiane e kategorive të ulëta, ku aktivizohet si mbrojtës qendre. Për të, futbolli është njëkohësisht pasion dhe pjesë e jetës së përditshme. Ideja për të kthyer ngjashmërinë me Ronaldon në një personazh për rrjetet sociale lindi pas një momenti krejt rastësor. Kur ishte më i ri, nëna e tij e kishte çuar në Caselle pikërisht në ditën kur avioni i Real Madridit, me Ronaldon në bord, pritej të ulej përpara një ndeshjeje kundër Juventusit.

Disa gazetarë e ngatërruan për pak çaste me futbollistin portugez. Ishte pikërisht ai moment që e bëri Lucën të kuptonte se ngjashmëria mund të kthehej në një ide për përmbajtje. Kështu, në vitin 2023 lindi profili “crspera”, ku Luca nisi të kombinonte pamjen e Ronaldos me personalitetin e tij. Sot ai ka publikuar më shumë se 600 postime, ndërsa disa prej videove të tij kanë marrë miliona shikime.

Një prej tyre, ku shfaqet duke bërë xhonglime me topin së bashku me djalin e parukieres së tij, arriti plot 86 milionë shikime. Përveç pamjes, Luca ka punuar edhe për të imituar lëvizjet ikonike të CR7. Një prej videove më të famshme është rikrijimi i roveshatës së Ronaldos ndaj Juventusit, për të cilën iu deshën disa tentativa deri në realizimin e versionit që donte. Megjithatë, ai e thekson vazhdimisht se gjithçka bëhet për argëtim. Luca thotë se nuk ka kryer ndërhyrje kirurgjikale për t’iu ngjarë Ronaldos dhe se e di shumë mirë se ku mbaron imitimi dhe ku fillon realiteti.

“Ai është kampioni, unë jam një lojtar amator që di të qeshë me veten”, është një prej mënyrave se si ai e përshkruan raportin me personazhin që ka krijuar. Humori është një pjesë e rëndësishme e videove të tij. Luca rikrijon intervista, veshje dhe momente të Ronaldos, duke i përshtatur ato me jetën e tij. Në vend të fanellës së Al-Nassr, për shembull, ai shfaqet me uniformën e Garinos.

Edhe pseudonimet janë kthyer në pjesë të lojës. “Rotondo”, “Robaldo” apo “Ranaldo” janë disa prej emrave që përdoruesit i kanë vendosur në mënyrë ironike, ndërsa ai vetë i ka përqafuar me humor. Pavarësisht famës në internet, jeta e Lucës është shumë larg asaj të një superylli. Ai ka studiuar Shkencat e Sportit, punon me fëmijët dhe drejton një shkollë futbolli. Kur zbret në fushë me Garinon, thotë se për shokët e skuadrës është thjesht Luca.

Ngjashmëria, megjithatë, vazhdon t’i krijojë situata të pazakonta. Njerëzit shpesh e shikojnë në rrugë, ndërsa një herë dy vajza madje e ndoqën për pak kohë, të bindura se kishin parë Ronaldon. Së fundmi, Luca udhëtoi drejt Lisbonës për të ndjekur një ndeshje të Portugalisë.