Sara Wahedi, 31-vjeçarja e arsimuar në Columbia dhe Oxford, ka kthyer teknologjinë në një mjet rezistence për gratë afgane, ndërsa denoncon realitetin e rëndë nën regjimin taleban. “Ta kesh fatin të jesh grua në Afganistan është ferri mbi tokë”. Kështu e përshkruan Sara Wahedi realitetin e miliona grave afgane, pesë vjet pas rikthimit të talebanëve në pushtet.

E lindur në Kabul në vitin 1995 dhe e larguar nga Afganistani kur ishte vetëm pesë vjeçe, Wahedi u rrit në Kanada. Vite më vonë, dëshira për të njohur rrënjët e saj e çoi sërish në Kabul, ku në vitin 2017 nisi një praktikë profesionale. Atje u përball nga afër me atentatet, pasigurinë dhe mungesën e informacionit në kohë reale. Pikërisht kjo situatë e shtyu të krijonte Ehtesab, një aplikacion që paralajmëronte qytetarët për shpërthime, aksidente, zona të rrezikshme dhe raste ngacmimi ndaj grave.

Aplikacioni u shkarkua nga mijëra afganë dhe, pas rikthimit të talebanëve në Kabul më 15 gusht 2021, u kthye në një prej burimeve të pakta të informacionit për qytetarët. Ekipi i saj vijoi punën në fshehtësi, por pas kërcënimeve dhe përndjekjeve aktiviteti i Ehtesab u pezullua në vitin 2024. Sot Wahedi punon në Oxford në fushën e teknologjisë dhe drejtësisë, ndërsa ka ngritur edhe iniciativën Civaam, e cila zhvillon në mënyrë diskrete projekte për të ndihmuar gratë brenda Afganistanit, përfshirë rrjete të fshehta të kujdesit shëndetësor dhe mjete për mësueset që vazhdojnë arsimin e vajzave në shkolla sekrete.

Ajo paralajmëron se bota po mësohet me atë që po ndodh në Afganistan dhe se përdorimi i një gjuhe të zbutur rrezikon të fshehë përmasat e vërteta të dramës. “Është një makth. Është distopike”, thotë Wahedi, e bindur se realiteti i grave afgane duhet të përshkruhet pa eufemizma.