Në një kohë kur gjithnjë e më shumë të rinj në Kinë po kërkojnë t’i largohen ritmit të lodhshëm të jetës urbane, një njoftim i pazakontë për punë në një fermë delesh është kthyer në fenomen në rrjetet sociale. Ajo që dukej si një ofertë e zakonshme pune në një zonë të izoluar rurale, përfundoi duke tërhequr qindra kandidatë nga qytetet më të mëdha të vendit.
Pronar i fermës, Chu Xiaoyong, tregoi se mbeti i surprizuar nga reagimi i jashtëzakonshëm ndaj njoftimit të publikuar në platformën Weibo, i cili arriti rreth 59 milionë shikime dhe mbi 700 aplikime.
Sipas tij, mes aplikantëve nuk kishte vetëm punëtorë ruralë, por edhe punonjës zyrash nga metropole si Shangai dhe Chongqing, punëtorë fabrikash, si dhe të diplomuar në universitete. Shumë prej kandidatëve kanë deklaruar se arsyeja kryesore për aplikimin ishte dëshira për t’u larguar nga stresi i jetës në qytet dhe kultura intensive e punës “996”, që nënkupton punë nga ora 09:00 deri në 21:00, gjashtë ditë në javë.



