Një ish-ekspert britanik i taksave, i cili dikur fitonte rreth 2 milionë paund në vit, rrezikon të humbasë shtëpinë e tij pas një beteje të gjatë gjyqësore për një borxh tatimor prej mbi 600 mijë paundësh. John Dixon, 70 vjeç, ish-partner i kompanisë së njohur të auditimit Ernst & Young, u shpall i falimentuar në vitin 2017 pasi autoriteti britanik i taksave konstatoi se ai kishte detyrime të papaguara në vlerën e rreth 600 mijë paundëve, përfshirë taksa, gjoba dhe interesa.
Gjatë hetimeve, administratorët e falimentimit zbuluan se Dixon kishte nënshkruar që në vitin 2010 një seri dokumentesh, me të cilat transferonte të gjitha pasuritë ekzistuese dhe ato të ardhshme në emër të bashkëshortes së tij, Janet. Mes tyre përfshiheshin prona të paluajtshme, automjete dhe të ardhurat e ardhshme. Gjykata arriti në përfundimin se këto veprime ishin ndërmarrë për t’i fshehur pasuritë nga kreditorët e mundshëm, duke i hapur rrugën sekuestrimit të tyre.
Çifti rrezikon tani të humbasë banesën aktuale, një vilë tradicionale me çati kashte të quajtur “Toad Hall”, e vlerësuar rreth 730 mijë paund. Administratorët kanë nisur procedurat për marrjen në zotërim dhe shitjen e pronës, me qëllim shlyerjen e borxheve. Në seancën e fundit gjyqësore, Dixon pretendoi se ishte trajtuar padrejtësisht dhe se nuk kishte krijuar skemën për të shmangur kreditorët, por si pjesë e planifikimit të trashëgimisë familjare. Ai deklaroi se në kohën kur transferoi pasuritë nuk kishte asnjë detyrim tatimor dhe se ishte e paimagjinueshme të rrezikonte karrierën për një shumë të tillë. Megjithatë, Gjykata e Lartë refuzoi kërkesën e tij për apel, duke lënë në fuqi vendimin që i hap rrugë shitjes së pronës. Kjo do t’u mundësojë administratorëve të falimentimit të vijojnë procedurat për rikuperimin e borxhit ndaj autoriteteve tatimore britanike.



