I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Foni Ilia, psikolog klinik. Ai ka folur më shumë mbi marrëdhëniet por jo vetëm…
Pjesë nga intervista:
Çfarë gabimesh bëjnë sot çiftet gjatë marrëdhënies dhe çfarë këshillon të bëhet apo jo gjatë takimeve?
Unë them mos përdorni fare parfum në takimet e para, vajzat jo, fare. Duhet të jetë aroma e trupit, që feromonet të punojnë, që ne ta duam aromën e trupit të tjetrit. Duhet të jemi shumë afër njëri me tjetrin dhe ta ndiejmë. Sepse ndonjëherë edhe aromat luajnë rol. Nuk e pëlqej erën e trupit të tij apo të saj dhe aty ka mbaruar gjithçka, kot lodhesh që del në takim.
Tjetra është që duhet të prekeni. E prekim si pa e kuptuar. Mund të ndodhë që ajo të largohet dhe ti bën sikur harron, sikur ndodhi krejt aksidentale. E provojmë prapë herën tjetër. Nëse takimi i parë ishte sy më sy, përballë njëri-tjetrit, takimi tjetër do të bëhet në këndin 90°, ta kesh në krah. Si pa dashur ti mund ta prekësh pak nga këmba, pak nga dora, por duhet prekje. Duhet sa më shumë prekje, që të dyja palët të preken. Kemi nevojë ne si qenie njerëzore që të prekemi. Madje kur kryejmë marrëdhënie, ne e bëjmë lakuriq, sepse kemi nevojë për prekje mishtore. Është shumë e rëndësishme. Luan një rol të rëndësishëm.
Tjetër është zëri, mënyra se si flasim. Ne na ndodh biologjikisht, por duhet ta shtojmë edhe më shumë dozën, kur jemi përpara një vajze që duam, zëri ynë duhet të bëhet më bas, më i rëndë. Dhe zëri i saj duhet të bëhet më i hollë. Ne kemi shumë gjëra të bukura për t’i thënë njëri-tjetrit me anë të zërit.



