Një aktor, bodybuilder dhe model ka ndërruar jetë tragjikisht në moshën 41-vjeçare, vetëm dy javë pasi ndau një postim prekës në rrjetet sociale.

Familja e Jakub Loza konfirmoi vdekjen e tij në orën 3 të mëngjesit të ditës së diel (3 maj) për ndjekësit e tij në mediat sociale.

“Daily Star” shkruan se vetëm ata që ishin më afër tij e dinin se ai kishte luftuar në heshtje me një sëmundje të paspecifikuar për njëfarë kohe. Dy javë para se të ndërronte jetë, ai shkroi në internet:

“Aktualisht po i nënshtrohem trajtimit – është një fazë e vërtetë që po kaloj. Nuk kam pyetur kurrë ‘pse unë?’. gjithmonë kam thënë ‘Jezus, unë besoj në Ty. Nëse kjo është rruga, unë e pranoj’. Dhe e dini çfarë? Nuk jam ndjerë kurrë më i qetë se tani”.

Ndarja nga jeta e 41-vjeçarit ka tronditur si familjarët, ashtu dhe miqtë, kolegët dhe fansat e tij të shumtë.

Agjentja e tij, Ewa Raczy, ka thënë për mediat lokale se ndodhi ‘krejtësisht papritur’:

“Ne e kishim parë njëri-tjetrin kohët e fundit përmes punës. Ai ishte aktiv, dukej shkëlqyeshëm dhe dukej se ishte në kulmin e jetës së tij. Nuk kishte asgjë që të sugjeronte se diçka nuk shkonte. Nuk kisha asnjë tregues, as nga ai dhe as nga të dashurit e tij, se ai po përballej me ndonjë problem shëndetësor”.

Jakub u bë i njohur për rolet e tij në disa seriale dhe filma të njohur. Përveç aktrimit, ai punoi si bodybuilder, trajner personal dhe model, duke i frymëzuar shpesh ndjekësit e tij që të kujdeseshin për shëndetin e tyre dhe të përmirësonin stilin e tyre të jetesës.

Funerali i tij është planifikuar të zhvillohet në qytetin e tij të lindjes, Rzeszow, Poloni, nesër (7 maj).