Aktori i famshëm amerikan, Luke Wilson, është bërë baba për herë të parë në moshën 54-vjeçare. Ylli i filmave “Old School” dhe “Legally Blonde” ka mirëpritur fëmijën e tij të parë me të dashurën Kendall Yates, e cila është 24 vjeçe.

Lajmi është konfirmuar nga “Page Six”, pasi çifti u pa së fundmi në një event për serialin e ri të aktorit në Netflix, “The Hawk”, në Resort at Pelican Hill në Newport Beach, Kaliforni.

Wilson dhe Yates kishin me vete foshnjën e tyre në një karrocë mbajtëse, ndërsa sipas burimeve, ua prezantuan vajzën e porsalindur aktorëve dhe të ftuarve të pranishëm.

Ky është fëmija i parë për aktorin 54-vjeçar, i cili vite më parë kishte folur hapur për dëshirën për t’u bërë baba. Në një intervistë për “People” në vitin 2007, Wilson shprehej se nuk kishte të dashur në atë periudhë, por se dëshironte të kishte fëmijë në të ardhmen.

Luke Wilson dhe Kendall Yates, 30 vite më e re se aktori, e kanë mbajtur lidhjen e tyre larg vëmendjes së madhe publike. Dyshja është fotografuar për herë të parë së bashku në janar të vitit 2023, gjatë një shëtitjeje në plazh me qenin e aktorit.

Më pas, ata janë parë herë pas here në dalje të qeta, kryesisht pranë plazhit në Los Angeles. Në qershor 2024, çifti mori pjesë edhe në një event të industrisë së filmit, pas premierës së “Horizon: An American Saga — Chapter 1”.