Aktori i Bollywood-it, Imran Khan, është urdhëruar të largohet nga India deri më 28 tetor, pasi mori pjesë në një protestë kundër kreut të Komisionit Zgjedhor të vendit, Gyanesh Kumar. Autoritetet indiane pretendojnë se aktori ka shkelur rregullat e imigracionit, raportojnë mediat lokale.

Khan, 43 vjeç, është shtetas amerikan dhe zotëron një kartë “Overseas Citizen of India (OCI)”, e cila u jep personave me origjinë indiane disa të drejta qëndrimi, por nuk u jep shtetësinë indiane. Njoftimi për largimin iu dërgua nga zyra përgjegjëse për regjistrimin e shtetasve të huaj, pas pjesëmarrjes së tij në një tubim në Mumbai më 10 tetor.

Protestuesit kërkonin dorëheqjen e Gyanesh Kumarit, duke kundërshtuar ndryshimet në listat zgjedhore, të cilat opozita dhe kritikët e qeverisë së kryeministrit Narendra Modi pretendojnë se favorizojnë partinë në pushtet. Komisioni Zgjedhor i ka mohuar akuzat për favorizim politik.

Sipas raportimeve, ndaj aktorit u paraqit një ankesë për pjesëmarrjen në protestë, me argumentin se ai është shtetas i huaj. Policia e kishte ndaluar përkohësisht gjatë demonstratës dhe më pas e kishte liruar.

Imran Khan, nipi i aktorit të njohur Aamir Khan, u bë i famshëm me filmin Jaane “Tu… Ya Jaane Na” në vitin 2008 dhe luajti në disa prodhime të suksesshme të Bollywood-it, përpara se të largohej gradualisht nga kinemaja. Deri tani, aktori nuk ka bërë një koment publik për njoftimin dhe nuk dihet nëse do ta kundërshtojë atë përmes rrugës ligjore.