Aktorja e njohur turke, Ilsu Demirci, është një nga personazhet VIP që i është bashkuar atmosferës së Sunny Hill Festival, i cili po mbahet në Bërnicë të Prishtinës.
Ylli i serialeve turke ka ndarë me ndjekësit e saj në rrjetet sociale disa momente nga qëndrimi në Kosovë, duke publikuar pamje nga festivali dhe duke përcjellë atmosferën që po përjetohet në një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të rajonit.
Demirci, e cila numëron rreth 1.5 milionë ndjekës në rrjetin social “Instagram”, ka tërhequr vëmendjen e fansave me postimet e saj, të cilat janë pritur me reagime të shumta.
Për publikun shqiptar, aktorja njihet veçanërisht nga roli i saj në serialin turk “Arafta”, një produksion që ka fituar popullaritet edhe në hapësirën shqipfolëse.
Prania e saj në Sunny Hill Festival konsiderohet një tjetër dëshmi e jehonës ndërkombëtare që ka fituar eventi, i cili çdo vit mirëpret artistë, personazhe publike dhe mijëra vizitorë nga vende të ndryshme të botës.
Edicioni i sivjetmë i festivalit ka sjellë në Prishtinë emra të njohur të muzikës botërore, duke krijuar një atmosferë festive që ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të publikut vendas, por edhe të figurave të njohura ndërkombëtare.
Me performanca spektakolare dhe energjinë e mijëra fansave, Sunny Hill Festival vazhdon të konsolidohet si një nga ngjarjet kulturore dhe muzikore më të rëndësishme në rajon.







