Një ushtarak amerikan, avioni luftarak i të cilit u rrëzua mbi Iran në prill, ka folur për herë të parë publikisht për dy ditët që kaloi i vetëm në malet iraniane dhe operacionin dramatik që çoi në shpëtimin e tij. I identifikuar vetëm me emrin “Bravo”, ai ishte oficeri i sistemeve të armatimit në avionin F-15E.

Rrëfimi i tij u transmetua të dielën nga emisioni “60 Minutes” i CBS, së bashku me pamje të deklasifikuara së fundmi nga operacioni. Momenti më i frikshëm, sipas tij, erdhi menjëherë pasi avioni u godit. Parashuta ishte dëmtuar dhe ai po binte drejt tokës me një shpejtësi prej rreth 110 deri në 160 kilometra në orë. “Në një moment ngrita kokën dhe nuk pashë parashutën. Ishte gjëja më e frikshme që kam parë ndonjëherë”, tregoi ai.

Pas rënies, “Bravo” kaloi rreth dy ditë i vetëm në zonën malore të Iranit, në pritje të shpëtimit. Operacioni për nxjerrjen e tij mobilizoi më shumë se 90 pjesëtarë të forcave amerikane, sipas admiralit Brad Cooper, kreu i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara. Operacioni shënoi gjithashtu herën e parë në 46 vjet që personel ushtarak amerikan hyri në territorin e Iranit.

Pas dy ditësh në male, momenti kur pa forcat amerikane të mbërrinin mbetet i paharrueshëm për ushtarakun. “Ishte një nga momentet më të mrekullueshme të jetës sime”, tha ai. Anëtari tjetër i ekuipazhit, piloti i F-15E, nuk pranoi të merrte pjesë në intervistë.