Reperi i njohur italian, Fedez, është bërë baba për herë të tretë. Partnerja e tij, Giulia Honegger, ka sjellë në jetë fëmijën e tyre të parë së bashku, një djalë të cilin çifti e ka quajtur Edoardo Lupo.
Duke cituar burimet, “Gente” shkruan se, vogëlushi ka lindur pasditen e së enjtes, më 16 korrik, në spitalin San Raffaele në Milano. Lajmi i bukur është mbajtur larg vëmendjes mediatike, ndërsa deri tani nuk ka pasur asnjë reagim apo njoftim zyrtar nga Fedez në rrjetet sociale.
Heshtja e çiftit nuk ka habitur ndjekësit e tyre, pasi marrëdhënia mes reperit dhe stilistes së re është zhvilluar që në fillimet e saj larg zhurmës së mediave. Ndryshe nga historitë e mëparshme të dashurisë së Fedez, çifti ka zgjedhur ta ruajë me kujdes jetën private, duke kufizuar daljet publike dhe postimet në rrjetet sociale.
Historia mes Fedez dhe Giulia Honegger nisi gjatë verës së vitit 2025. Lidhja e tyre u bë publike pas disa fotografive ku shfaqeshin duke shkëmbyer një puthje në një plazh në Sardenjë.
Në atë periudhë, reperi publikoi edhe dedikimin: “Nuk mund të bjerë shi përgjithmonë”, një mesazh që u interpretua si shenjë e një fillimi të ri pas përfundimit të martesës me Chiara Ferragni.
Për Giulia Honegger ky është fëmija i parë, ndërsa Fedez është gjithashtu baba i Leone dhe Vittoria, dy fëmijët e tij nga martesa me Chiara Ferragni. Me ardhjen në jetë të Edoardo Lupo, reperi italian nis tashmë një kapitull të ri në jetën e tij familjare.



