Misteri rreth fundit të lidhjes së Valentina Ferragnit dhe Matteo Napoletanos tashmë duket se ka marrë fund. Pas muajsh aludimesh dhe sinjalesh në rrjetet sociale, motra e Chiara Ferragnit ka folur hapur për ndarjen, duke zbuluar se pas vendimit të saj fshihet një arsye shumë më e thellë se thjesht fundi i një historie dashurie.

E ftuar në podcast-in e Luca Casadeit, Valentina ka rrëfyer se zgjodhi të largohej nga një person për të cilin kishte ende ndjenja, sepse e kuptoi se ai nuk mund t’i jepte atë që ajo kërkonte për të ardhmen.

“Kam lënë të shkojë një dashuri me të cilën isha shumë e lidhur, sepse e dija që ai person nuk do të më jepte atë që kisha nevojë. Nuk dua të përgjysmohem dhe nuk dua që pas disa vitesh të shikoj pas dhe të ndihem sikur jam kënaqur me më pak”, është shprehur ajo.

Një deklaratë që duket se i referohet drejtpërdrejt Matteo Napoletanos, me të cilin Valentina kishte nisur një lidhje disa vite më parë dhe madje kishte menduar edhe për një jetë të përbashkët.

Valentina nuk e fshehu as dëshirën e saj për të krijuar familje. Përkundrazi, pranoi se të bërit nënë është një nga gjërat që dëshiron më shumë, por nuk është e gatshme të presë dikë që nuk e di nëse do të jetë pjesë e së ardhmes së saj.

“Bëj 34 vjeç këtë vit, nuk jam e martuar, nuk kam fëmijë, gjë që do të më pëlqente shumë, por nuk ka pasur mundësi. Më është thënë: ‘Prit edhe pak’, por unë nuk mund të pres një person që nuk e di nëse do të jetë aty”, tha ajo.

Dhe mesazhi i saj ishte i qartë: këtë herë, Valentina ka zgjedhur veten.

“Zgjedh historinë time, të ardhmen time dhe zgjedh të dua më shumë nga jeta ime. Shpresoj, por jam e sigurt, se kjo gjë do të më shpërblejë”, u shpreh ajo.

Në rrëfimin e saj, Ferragni foli edhe për pavarësinë ekonomike dhe për një këshillë që nëna e saj u ka dhënë gjithmonë vajzave.

“Mos ndaloni kurrë së punuari për një burrë. Përpiquni të jeni gjithmonë të pavarura, sepse pavarësia ju jep lirinë”, tregoi Valentina.

Ajo theksoi se nuk e ka zgjedhur kurrë një partner për paratë apo statusin.

“Nuk kam parë kurrë pozicionin ekonomik apo social të një burri. Nuk kam pasur kurrë një të dashur që të më paguante diçka”, deklaroi ajo.

Duke folur për Matteo, Valentina zbuloi se ai ishte pothuajse nëntë vite më i vogël se ajo kur u njohën dhe në atë periudhë ishte ende student në SHBA. Një tjetër detaj që, sipas saj, tregon se paratë apo statusi nuk kanë qenë asnjëherë faktor në zgjedhjen e saj.

Por Valentina nuk u ndal vetëm te jeta sentimentale. Ajo foli edhe për raportin me trupin e saj dhe për mënyrën se si pole dance e ka ndihmuar të fitojë më shumë vetëbesim.

“Aty shikon çdo defekt të trupit, sheh çdo pjesë të celulitit”, rrëfeu ajo, duke shpjeguar se gjatë ushtrimeve nuk ka mundësi të fshihet pas komplekseve apo pas mënyrës se si duket.

Sipas saj, pikërisht ky sport e ka mësuar të fokusohet jo tek “defektet”, por tek gjithçka që trupi i saj është në gjendje të bëjë.

“Nuk do të kem këmbët më të holla në botë, por shiko çfarë dreqin di të bëj”, tha Valentina.