Zhdukja dhe vrasja e një qeni të racës border collie, me emrin Chutou, i cili kishte fituar popullaritet të madh në mediat sociale, dhe konkretisht në platformën Douyin, ku pronari i tij, blogeri i udhëtimeve Guo, kishte mbi 1.5 milion ndjekës, po shkakton reagime të forta në Kinë.

Qeni u zhduk më 11 maj, ndërsa ishte nën kujdesin e babait të pronarit të tij, ndërsa Guo ndodhej jashtë vendit. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, pamjet e kamerave të sigurisë dyshohet se tregojnë dy persona që e nxjerrin kafshën nga shtëpia e familjes me një skuter elektrik.

Me kthimin e tij në Kinë, blogeri nisi një hetim për të gjetur qenin, me ndihmën e vullnetarëve dhe autoriteteve lokale. Dy javë më vonë, Guo dyshohet se gjeti një person të dyshimtë, i cili, sipas ankesave të tij, fillimisht i premtoi atij kthimin e kafshës kundrejt një pagese prej 10,000 juanësh (rreth 1,267 euro).

Megjithatë, ai pretendon se ishte informuar se qeni ishte shitur tashmë në një restorant për rreth 180 juanë (rreth 26 dollarë), ishte vrarë dhe konsumuar aty. Autori i dyshuar, sipas të njëjtave burime, pretendoi se e kishte ngatërruar kafshën me një qen endacak, ndërsa dyshohet se kishte deklaruar: “Qeni ka ngordhur, mos bëni më zhurmë”.

Pronari ka paraqitur një ankesë zyrtare në policinë e provincës Henan dhe tashmë ka ndërmarrë veprime ligjore. Autoritetet kanë nisur një hetim për incidentin, ndërsa çështja po shqyrtohet si një vjedhje e mundshme e pronës, pasi Kina nuk ka një kuadër ligjor të unifikuar për mbrojtjen e kafshëve shtëpiake.