Këngëtarja e famshme, Britney Spears, ka tërhequr sërish vëmendjen e fansave. Kësaj radhe me një ndryshim të ri në pamjen e saj, duke prezantuar një frizurë që shumë e kanë krahasuar me stilin e saj legjendar nga fillimi i viteve 2000.

Ylli i muzikës u shfaq me look-un e ri në një postim të publikuar në rrjetin social “Instagram” nga stilisti i njohur i flokëve, Chris Appleton, i cili njihet për bashkëpunimet me emra të mëdhenj të industrisë së argëtimit si Kim Kardashian, Ariana Grande dhe Jennifer Lopez.

Pamja e re e Britney-t karakterizohet nga flokë të stiluar me shkëlqim dhe elegancë, duke sjellë ndër mend periudhën kur ajo dominonte skenën botërore të muzikës pop.

Sipas fansave, ky është një nga transformimet më të dukshme të artistes në vitet e fundit, pasi prej kohësh ajo është identifikuar me flokët e saj të gjatë biondë dhe valëzimet karakteristike.

Appleton shprehu emocionet e tij për bashkëpunimin me yllin e muzikës, duke zbuluar se muzika e Britney Spears ka qenë pjesë e rëndësishme e jetës së tij që në fëmijëri.

“Kur u rrita në Angli, Britney Spears ishte kolona zanore e shumë prej kujtimeve të mia. Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë se një ditë do të isha unë ai që do t’i stilonte flokët”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Stilisti e përshkroi këngëtaren si “më shumë se një ikonë”, duke shtuar se ajo është një nga njerëzit më të sjellshëm dhe më të ngrohtë që ka njohur.

Fotografitë me pamjen e re u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale dhe grumbulluan qindra mijëra pëlqime brenda pak orësh, ndërsa fansat vlerësuan transformimin dhe rikthimin e një stili që kujton periudhën më të suksesshme të karrierës së saj.